 Që nga themelimi i Maqedonisë si republikë në kuadër të Federatës jugosllave autoritetet e Shkupit kanë aplikuar të gjitha metodat dhe të gjithë stigmatizimet e modës vetëm e vetëm për të arsyetuar dhunën ndaj shqiptarëve. Në vitin 1945 kur Beogradi kishte marrëdhënie të mira me Stalinin dhe ndiqte një politikë antishqiptare në Kosovë shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar nën akuzën e antikomunizmit dhe si pjesëtarë të Ballit Kombëtar. Në vitin 1948 kur Beogradi prishi marrëdhëniet me Stalinin dhe vazhdoi politikën antishqiptare në Kosovë , shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar si komunist stalinian. Në vitin 1968 kur në Beograd u përmbys klika e Rankoviqit dhe në Kosovë filloi të frymohet pak më lirshëm , mbeturinat e Rankoviqit në Maqedoni kanë vrarë, kanë rrahur, kanë poshtëruar, kanë maltretuar, kanë torturuar, kanë burgosur dhe kanë dënuar shqiptarët nën akuzën e nacionalizmit.Në vitin 1981 kur Beogradi nisi fushatën shfrenuese kundër shqiptarëve në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar nën akuzën e irredentizmit. Nga viti 1986 kur regjimi i Millosheviqit në Beograd filloi zbatimin e politikës gjenocidale kundër shqiptarëve në Kosovë shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar nën akuzën e separatizmit.Nga viti 1989 kur regjimi i Millosheviqit në Beograd shpalosi flamurin e kryqëzatave ortodokse shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar nën akuzën e fundamentalizmit islamik. Nga viti 1991 kur regjimi i Millosheviqit në Beograd elaboroi strategjinë e spastrimit etnik nën maskën e ndjekjes së terroristëve , autoritetet e Shkupit ofruan korridorin e dëbimit dhe kanë vrarë, kanë rrahur, kanë poshtëruar, kanë maltretuar, kanë torturuar, kanë burgosur dhe kanë dënuar shqiptarët nën akuzën “ndihmë terrorizmit”. Që nga fillimi i vitit 2001, shqiptarët në Maqedoni janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar nën akuzën e terrorizmit.Më 7 nëntor 2007 nën arsyetimin e ndjekjes së terroristëve në fshatin Brodec të malësisë së Tetovës shqiptarët janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe tani po ju bëhet proces nën akuzën e terrorizmit. Shkurt pas krimit të parë të 7 nëntorit Aktakuza kundër shqiptarëve të Brodecit përbën krim të dyfisht. Me një fjalë që nga themelimi i Maqedonisë herë nën akuzën e antikomunizmit, herë nën akuzën e komunizmit, herë nën akuzën e nacionalizmit, herë nën akuzën e separatizmit, herë nën akuzën e iredentizmit, herë nën akuzën e fundamentalizmit dhe herë nën akuzën e terrorizmit shqiptarët janë vrarë, janë rrahur, janë poshtëruar, janë maltretuar, janë torturuar, janë burgosur dhe janë dënuar. Kërkojmë nga të gjitha organizatat demokratike në botë që kanë për objektiv mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe nga organizatat kundër përdorimit të torturës që të ngrenë zërin e protestës për rastin e Brodecit.Kërkojmë nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe NATO që të ushtrojnë presionet e domosdoshme mbi autoritetet e Shkupit për të ndërprerë këtë proces të motivuar etnikisht dhe politikisht. Me vrasje, me burgosje dhe me procese të montuara nuk hyhet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Tetovë, 29.02.2008 Bashkimi Demokratik Shqiptar |